#6 Hapa të mëtejshëm

Keni plotësuar kështu bazat e fshehtëzimit të email-eve me GnuPG-në, duke marrë masa kundër survejimit në masë. Këto hapa të mëtejshëm do t’ju ndihmojnë të përfitoni maksimumin nga puna që kryet.

Bashkojuni lëvizjes

Sapo keni bërë një hap shumë të madh drejt mbrojtjes së privatësisë suaj në linjë. Por nuk mjafton secili prej nesh më vete. Për të rrëzuar survejimin në masë na duhet një lëvizje për autonominë dhe lirinë e krejt përdoruesve të kompjuterit. Bëhuni pjesë e bashkësisë Free Software Foundation (shq. Fondacioni Për Software të Lirë) që të njiheni me persona që i mendojnë gjërat po si ju dhe të punoni tok për ndryshime.

 GNU Social  |   Pump.io  |  Twitter

Lexoni pse GNU Social dhe Pump.io janë më të mirë se sa Twitter, dhe pse ne nuk përdorim Facebook.


Silleni Vetëmbrojtjen e Email-it te njerëz të tjerë

Të kuptuarit dhe gatitja e fshehtëzimit të email-eve, për shumë vetë, është punë që i tremb pakëz. Për t’ua lehtësuar, bëjeni të lehtë gjetjen e kyçit tuaj publik dhe ofrojuni t’i ndihmoni për fshehtëzimin. Ja disa këshilla:

  • Drejtoni një praktikë Vetëmbrojtjeje Email-i për shokët dhe bashkësinë tuaj, duke përdorur udhërrëfyesin tonë të mësimit të të tjerëve.
  • Përdoreni faqen tonë të ndarjeve me të tjerët për të hartuar një mesazh për pak miq dhe për t’u kërkuar atyre të ndjekin shembullin tuaj në fshehtëzimin e email-eve. Mos harroni të përfshini shenjat e gishtave të kyçit tuaj publik GnuPG, që të mund ta shkarkojnë lehtësisht kyçin tuaj.
  • Shtojini shenjat e gishtave për kyçin tuaj kudo që normalisht shfaqni adresën tuaj email. Vende të përshtatshme janë: nënshkrimi i email-eve tuaj (ai i llojit tekst, jo ai që ka të bëjë me kriptografinë), profile në media shoqërore, blogje, sajte, ose karta biznesi. Në Free Software Foundation, tonat i vendosim te faqja jonë e stafit.

Mbroni më tepër pjesë të jetës suaj dixhitale

Mësoni teknika kundër survejimit edhe për mesazhet e atypëratyshme, depozitimet në hard disk, ndarjen e gjërave me të tjerët në linjë, etj, te Paketa e Privatësisë, te Lista e Software-it të Lirë dhe prism-break.org.

Nëse përdorni Windows, Mac OS ose çfarëdo sistemi tjetër operativ pronësor, ju këshillojmë të kaloni në një sistem operativ software i lirë, të tillë si GNU/Linux-i. Kjo do ta bëjë shumë më të vështirë për agresorët të hyjnë në kompjuterin tuaj përmes portash të passhme të fshehta. Hidhuni një sy versioneve GNU/Linux të njohura nga Free Software Foundation-i.

Opsionale: Shtoni më tepër mbrojtje, përmes Tor-it

Rrjeti Onion Router (Tor) e mbështjell komunikimin në Internet me shtresa të shumëfishta fshehtëzimi dhe e rrotullon rreth botës disa herë. Kur përdoret si duhet, Tor-i i ngatërron agjentët e survejimit dhe aparatin global të survejimit. Përdorimi i tij me fshehtëzimin e GnuPG-së do t’ju japë përfundimet më të mira.

Që ta bëni programin tuaj të email-it të dërgojë dhe marrë email përmes Tor-it, instaloni shtojcën Torbirdy në të njëjtën mënyrë siç instaluat Enigmail-in, duke e kërkuar te Shtesat.

Përpara se të filloni të përdorni email-in përmes Tor-it, sigurohuni që i kuptoni kompromiset që kjo nënkupton për sigurinë. Kjo infografikë nga miqtë tanë të Electronic Frontier Foundation demonstron se si Tor-i ju ruan të parrezikuar.

Përmirësojini edhe më tej mjetet e Vetëmbrojtjes së Email-it

Lini përshtypjet dhe këshilloni përmirësime për këtë udhërrëfyes. Përkthimet i mirëpresim, por ju kërkojmë të lidheni me ne, te campaigns@fsf.org përpara se të filloni, në mënyrë që të mund t’ju lidhim me përkthyes të tjerë që punojnë për gjuhën tuaj.

Nëse ju pëlqen të programoni, mund të kontribuoni kod te GnuPG ose Enigmail.

Si hap të mëtejshëm, përkrahni Free Software Foundation që të mund ta përmirësojmë më tej Vetëmbrojtjen e Email-it, dhe të krijojmë më tepër mjete si ajo.

Dhuroni