#6 Hapa të mëtejshëm

Keni plotësuar kështu bazat e fshehtëzimit të email-eve me GnuPG-në, duke marrë masa kundër survejimit në masë. Ju lumtë! Këto hapa të mëtejshëm do t’ju ndihmojnë të përfitoni maksimumin nga puna që bëtë sot.

Bashkojuni lëvizjes

Sapo keni bërë një hap shumë të madh drejt mbrojtjes së privatësisë suaj në linjë. Por nuk mjafton secili prej nesh më vete. Për të rrëzuar survejimin në masë na duhet një lëvizje për autonominë dhe lirinë e krejt përdoruesve të kompjuterit. Bëhuni pjesë e bashkësisë Free Software Foundation (shq. Fondacioni Për Software të Lirë) që të njiheni me persona që i mendojnë gjërat po si ju dhe të punoni tok për ndryshime.

 GNU Social  Pump.io Twitter

Lexoni pse GNU Social dhe Pump.io janë më të mirë se sa Twitter.


Ndihmoni të përfshihen shokët tuaj

Kjo është gjëja e vetme më e rëndësishme që mund të bëni për të promovuar fshehtëzimin e email-eve.

Përpara se ta mbyllni këtë udhërrëfyes, përdoreni faqen tonë të ndarjeve me të tjerët për të hartuar një mesazh për pak miq dhe për t’u kërkuar atyre të ndjekin shembullin tuaj në fshehtëzimin e email-eve. Mos harroni të përfshini ID-në e kyçit tuaj publik GnuPG që të mund ta shkarkojnë lehtësisht kyçin tuaj.

Shumë mirë do të ishte gjithashtu të shtonit shenjat e gishtave të kyçit tuaj publik te nënshkrimi i email-eve tuaj, që kështu personat me të cilët korrespondoni ta dinë se pranoni email të fshehtëzuar.

Ju këshillojmë të shkoni edhe një hap më tej dhe ta shtoni atë te profilet tuaj nëpër media shoqërore, te blogu juaj, sajti, ose kartëvizita juaj. (Te ne, në Free Software Foundation, tonat i kemi vendosur te faqja e stafit.) Është e nevojshme ta bëjmë kulturën tonë të arrijë në atë pikë, sa të na duket se diçka po mungon, kur shohim një adresë email pa shenja gishtash kyçi publik.

Mbroni më tepër pjesë të jetës suaj dixhitale

Mësoni teknika kundër survejimit edhe për mesazhet e atypëratyshme, depozitimet në hard disk, ndarjen e gjërave me të tjerët në linjë, etj, te Paketa e Privatësisë, te Lista e Software-it të Lirë dhe prism-break.org.

Nëse përdorni Windows, Mac OS ose çfarëdo sistemi tjetër operativ pronësor, ju këshillojmë të kaloni në një sistem operativ software i lirë, të tillë si GNU/Linux-i. Kjo do ta bëjë shumë më të vështirë për agresorët të hyjnë në kompjuterin tuaj përmes portash të passhme të fshehta. Hidhuni një sy versioneve GNU/Linux të njohura nga Free Software Foundation-i.

Përmirësojini edhe më tej mjetet e Vetëmbrojtjes së Email-it

Lini përshtypjet dhe këshilloni përmirësime për këtë udhërrëfyes. I mirëpresim përkthimet, por ju kërkojmë të lidheni me ne, te campaigns@fsf.org përpara se të filloni, në mënyrë që të mund t’ju lidhim me përkthyes të tjerë që punojnë për gjuhën tuaj.

Nëse ju pëlqen të programoni, mund të kontribuoni kod te GnuPG ose Enigmail.

Si hap të mëtejshëm, përkrahni Free Software Foundation që të mund ta përmirësojmë më tej Vetëmbrojtjen e Email-it, dhe të krijojmë më tepër mjete si ajo.

Dhuroni