Hapi 3.b Dërgoni një mesazh provë të fshehtëzuar
Shkruani një email të ri te programi juaj për email-et, dërguar për edward-sq@fsf.org. Si subjekt vini "Provë fshehtëzimi" ose diçka të ngjashme dhe shkruani diçka edhe si lëndë të tij.
Kyçi në cepin e poshtëm djathtas të dritares do të duhej të ishte i verdhë, për të treguar që fshehtëzimi është aktiv. Kjo do të jetë parazgjedhja për ju nga tani e tutje.
Ngjitur me kyçin, do të vini re ikonën e një lapsi. Klikimi mbi të i thotë Enigmail-it të shtojë një nënshkrim special, unik, te mesazhi juaj, të prodhuar duke përdorur kyçin tuaj privat. Kjo është veçori më vete nga fshehtëzimi, dhe nuk lypset ta përdorni në këtë udhërrëfyes.
Klikoni mbi Dërgoje. Enigmail-i do të hapë një dritare që thotë "Marrës jo të vlefshëm, jo të besuar ose që nuk gjenden."
Që të fshehtëzoni një email për Eduardin, ju duhet kyçi i tij publik, ndaj tani Enigmail-i do ta shkarkojë atë prej një shërbyesi kyçesh. Klikoni mbi Shkarko Kyçe Që Mungojnë dhe, te dritarja që hapet dhe që ju kërkon të zgjidhni një shërbyes kyçesh, përdorni parazgjedhjen. Sapo të gjejë kyçet, i vini shenjë të parit (ID-ja e Kyçit fillon me C), mandej përzgjidhni OK. Përzgjidhni OK edhe te dritarja pasuese.
Tani jeni prapë te skena "Marrës jo të vlefshëm, jo të besuar ose që nuk gjenden". I vini shenjë kutizës para kyçit të Eduardit dhe klikoni mbi Dërgoje.
Ngaqë e fshehtëzuat këtë email me kyçin publik të Eduardit, lypset kyçi privat i Eduardit për ta çfshehtëzuar. Eduardi është i vetmi me kyçin e tij privat, ndaj askush tjetër veç tij — as edhe ju — nuk mund ta çfshehtëzoni atë.
Diagnostikim
- Enigmail-i nuk e gjen dot kyçin e Eduardit
- Mbyllini dritaret që janë hapur pasi klikuat mbi Dërgoje. Sigurohuni që jeni i lidhur në Internet dhe riprovoni. Nëse kjo nuk bën punë, ripërsëritni procesin, duke zgjedhur një tjetër shërbyes kyçesh, kur t’ju kërkohet të zgjidhni një të tillë.
- Nuk shihni ndonjë zgjidhje për rastin tuaj?
- Ju lutemi, na e bëni të ditur, përmes faqes së përshtypjeve.