Hapi 2.a Krijoni një çift kyçesh
Rregullimi i Enigmail-it mund të fillojë vetvetiu. Nëse nuk niset,
përzgjidhni Enigmail → Ndihmësi i Rregullimit, te menuja e programit
tuaj të email-eve. Nuk jeni i detyruar të lexoni tekstin te dritarja që
hapet vetvetiu, veç në daçi, por është mirë të lexoni tekstin në skenat
pasuese të ndihmësit. Klikoni Pasuesi, me mundësitë parazgjedhje të
përzgjedhura, hiq këto raste, që radhiten sipas rendit të shfaqjes së tyre:
- Tek skena me titull "Fshehtëzim," përzgjidhni "Si parazgjedhje, fshehtëzoji
krejt mesazhet e mi, ngaqë privatësia për mua është kritike."
- Tek skena me titull "Nënshkrim," përzgjidhni "Si parazgjedhje, mos i
nënshkruaj mesazhet e mi."
- Tek skena me titull "Përzgjedhje Kyçesh," përzgjidhni "Dua të krijoj një
çift të ri kyçesh për nënshkrim dhe fshehtëzim të email-eve të mi."
- Tek skena me titullin "Krijoje Kyçin," zgjidhni një fjalëkalim të fuqishëm!
Këtë mund ta bëni dorazi, ose mund të përdorni metodën Diceware. Dorazi
është më e shpejtë, por jo dhe aq e sigurt. Përdorimi i metodës Diceware
zgjat më shumë dhe lyp zare, por krijon një fjalëkalim që është shumë i
zorshëm për ta kuptuar agresorët. Për ta përdorur, lexoni ndarjen "Krijoni
një frazëkalim të sigurt me Diceware" te ky
artikull nga Micah Lee.
Nëse doni ta zgjidhni dorazi fjalëkalimin, vendosni për diçka që mund ta
mbani mend dhe që është të paktën dymbëdhjetë shenja i gjatë, dhe përfshin
të paktën një shkronjë të madhe dhe një të vogël, dhe të paktën një numër
ose një shenjë pikësimi. Mos zgjidhni kurrë një fjalëkalim që e keni
përdorur gjetkë. Mos përdorni varg të kuptueshëm kollaj, të tillë si
datëlindje, numra telefonash, emrin e qenit apo kanarinës, vargje këngësh,
citime librash, e me radhë.
Programit do t’i duhet ca kohë të përfundojë hapin pasues, skenën e
"Krijimit të Kyçeve". Teksa prisni, bëni ndonjë gjë tjetër në kompjuterin
tuaj, fjala vjen, shihni një film ose shfletoni në Internet. Sa më shumë që
ta përdorni kompjuterin në këtë pikë, aq më shpejt do të bëhet krijimi i
kyçeve.
Kur të shfaqet skena "Prodhimi i Kyçeve u
Plotësua", përzgjidhni Prodho Dëshmi dhe zgjidhni ta ruani në një vend të
parrezik në kompjuterin tuaj (këshillojmë krijimin e një dosjeje të quajtur
"Dëshmi Shfuqizimi" te dosja juaj Home dhe mbajeni atje). Ky hap është
thelbësor për vetëmbrojtjen e email-it tuaj, siç do të mësoni më tepër te Ndarja 5.
Diagnostikim
- S’e gjej dot menunë Enigmail.
- Në shumë programe të rinj email-esh, menuja kryesore përfaqësohet me një
figurë tri vijash horizontale. Enigmail-i mund të jetë brenda një ndarjeje
të quajtur Mjete.
- Ndihmësi thotë se nuk gjen dot GnuPG-në.
- Hapni çfarëdo programi që përdorni zakonisht për instalim programesh, dhe
kërkoni për GnuPG-në, mandej instalojeni. Mandej riniseni ndihmësin e
rregullimit të Enigmail-it nga e para, duke shkuar te Enigmail →
Ndihmësi i Rregullimit.
- Më tepër burime
- Nëse keni probleme me udhëzimet tona, ose doni të mësoni më tepër, hidhni
një sy udhëzimeve
për prodhim kyçesh te faqja wiki e Enigmail-it.
- Nuk shihni ndonjë zgjidhje për rastin tuaj?
- Ju lutemi, na e bëni të ditur, përmes faqes së
përshtypjeve.
Të mëtejshme
- Prodhim çifti kyçesh përmes rreshti urdhrash
- Nëse parapëlqeni të përdorni rreshtin e urdhrave, për shkallë më të lartë
kontrolli, mund të ndiqni dokumentimin prej The GNU Privacy
Handbook. Sigurohuni që nguleni te "RSA dhe RSA" (parazgjedhja), ngaqë
është më i ri dhe më i sigurt se algoritmet që rekomandon
dokumentacioni. Sigurohuni gjithashtu që kyçi juaj është të paktën 2048 bit,
ose 4096, nëse doni të jeni ekstra i siguruar.
- Më shumë mbi çifte kyçesh
- Kur GnuPG-ja krijon një çift të ri kyçesh, e veçon funksionin e
fshehtëzimeve nga funksioni i nënshkrimeve, përmes nënkyçesh. Nëse i përdorni me
sukses nënkyçet, mund ta mbani shumë më të parrezikuar identitetin tuaj
GnuPG dhe ta riktheni shumë më shpejt pas komprometimit të ndonjë kyçi. Alex
Cabal dhe wiki e
Debian-it furnizojnë udhërrëfyes të mirë për të ndërtuar një formësim të
sigurt nënkyçesh.